Raportimi mbi cilësinë e ajrit në kohë reale kompletohet me 12 stacione monitoruese

12 nëntor

11.11. 2020 - U mbajt konferenca e parë me vendimmarrësit në kuadër të projektit “Menaxhimi i Informacioneve për Cilësinë e Ajrit, Ndryshimi i Sjelljes dhe Shërbimet e Komunikimit”, i mbështetur nga Fondacioni i Mijëvjeçarit i Kosovës (MFK) dhe financuar nga Korporata e Sfidave te Mijëvjeçaret (MCC).

Konferenca e të gjithë akterëve kryesorë u bë me qëllim të rritjes së bashkëpunimit dhe koordinimit më të mirë për përmirësimin e cilësisë së ajrit në vend. Me këtë rast, u prezantuan elementet e fushatës përmes së cilave qytetarët do të kenë mundësi që rregullisht të kontrollojnë cilësinë e ajrit, të siguruara nga 12 stacione për monitorimin e ajrit në tërë Kosovën.

Fushata mbarëkombëtare për vetëdijesim për cilësinë e ajrit është planifikuar të fillojë në fund të muajit nëntor në Kosovë me qëllim që të informojë publikun në lidhje me rreziqet ndaj shëndetit të shkaktuara nga ndotja e ajrit dhe masat që duhet t’i ndërmarrin për t’a mbrojtur veten, kështu duke ndryshuar shprehitë e tyre dhe duke bërë përpjekje për të zvogëluar nivelin e ndotjes, veçanërisht gjatë stinës së dimrit.

“Projekti për Cilësinë e Ajrit është një nga investimet tona konkrete për krijimin e një sistemi të qëndrueshëm dhe modern të të dhënave, për të rritur transparencën e institucioneve dhe komunikimin me publikun” – u shpreh gjatë fjalës hyrëse në konferencë Petrit Selimi, Drejtor Ekzekutiv i MFK.

Sarah Olmstead, Drejtoreshë e MCC për Kosovë, e veçoi këtë projekt nga të tjerët duke u shprehur: “Ky është ndër projektet që më pëlqen më së shumti, jo vetëm që ndërlidhet me projektet e tjera të energjisë, por edhe për faktin që iu mundëson qytetarëve të kenë kontroll mbi nivelin e cilësisë së ajrit dhe të marrin vendime në përputhje me rrethanat.

Portali për Cilësinë e Ajrit, aplikacioni mobil dhe nënfaqja në ueb-faqen e IKSHP janë disa nga mjetet interaktive, të zhvilluara nga projekti për cilësinë e ajrit, të cilat do t’i vihen në dispozicion të publikut në masë të madhe, duke iu mundësuar atyre kontrollimin e niveleve të ndotjes së ajrit.

Akterët u dakorduan të jenë në koordinim të plotë në realizimin e aktiviteteve për përmirësimin e cilësisë së ajrit, duke bërë të ndërmerren masa konkrete si nga institucionet ashtu edhe nga vet qytetarët. Ndër të tjera, do të angazhohen në promovimin e fushatës, përmes së cilës do të lansohen produkte që do të kontribuojnë në krijimin e një sistemi të besueshëm të informatave mbi ajrin në Kosovë, kështu duke iu mundësuar qytetarëve të kuptojnë më mirë dëmet shëndetësore që shkakton ndotja e ajrit, si dhe masat që ata duhet t’i marrin për të ndryshuar shprehitë e tyre në mënyrë që të zvogëlojnë nivelin e ndotjes së ajrit në vend.

Kjo fushatë është njëra nga aktivitetet kryesore brenda fushëveprimit të projektit “Furnizimi i Menaxhimit të Projektit, Menaxhimit të Informacioneve për Cilësinë e Ajrit, Ndryshimin e Sjelljes dhe Shërbimet e Komunikimit”, mbështetur nga Korporata e Sfidave të Mileniumit (MCC) dhe MFK, implementuar nga NIRAS.

MFK mbetet e përkushtuar për t’a ndihmuar IHMK dhe IKSHP në mbledhjen dhe shpërndarjen e informacioneve për cilësinë e ajrit.

Projekti ka për qëllim përmirësimin e disponueshmërisë publike dhe përdorimin analitik të të dhënave mjedisore nga bizneset, qeveria, shoqëria civile dhe OJQ-të, duke promovuar në këtë mënyrë vendimmarrjen e nxitur nga të dhënat. 

Prapa